Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj kryeshefit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka.
Ai po akuzohet pbr keqpërdorime gjatë kohës sa ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Faruk Mujka, bashkë me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, i kanë dëmtuar dëm AKP-së mbi 125 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftim.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”. Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M”, përfundon komunikata.
Prokuroria Speciale e kishte arretuar Faruk Mujkën në korrik të vitit 2023.
Ai dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, thuhet se në këtë aksion janë sekuestruar 60 mijë euro, e se vepra për të cilën dyshohen Mujka dhe një ish zyrtar tjetër është Keqperdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Bashkë me të ishte arrestuar edhe Hysni Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, tash i emëruar drejtor në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 414, parasheh dënim nga 1 deri në 8 vjet për kryerjen e kësaj vepre. Por, kur dëmi e kalon shumën prej 5 mijë euro, dënimi mund të shkoj deri në 10 vjet burgim.
“Personi zyrtar që e kryen veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.” – thuhet në Kodin Penal.