Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.A për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR’it dhe Policisë së Kosovës, në protestën e para dy vitesh në Zveçan.
Ai akuzohet për katër vepra penale: Sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge dhe posedim i paautorizuar i armëve.
Sipas aktakuzës, më 29.05.2023, që nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri M.A, i ka sulmuar dhe seriozisht i ka kanosur disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri.
M.A akuzohet se, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, së bashku me të pandehurit tjerë kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar.
“Si pasojë e këtyre veprimeve, të cilat M.A, sipas aktakuzës, i ka kryer në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore tek disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe dëme të mëdha materiale në automjete zyrtare dhe të gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për konfiskimin e një arme zjarri dhe shkatërrimin e substancave narkotike në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, të cilat janë sekuestruar gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore ndaj të pandehurit.
PSRK i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.