Ngritet aktakuzë ndaj Pal Lekajt për rastin e 53 milionë eurove

Ngritet aktakuzë ndaj Pal Lekajt për rastin e 53 milionë eurove

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy personave të tjerë, Nebih Shatri – ish-zyrtar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Eset Berisha, shef i kabinetit të Pal Lekajt, për ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurve të lartcekur është ngritur për shkak të dyshimit se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën  penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, është thënë në njoftim.

Në qershorin e vitit 2018-të, Qeveria Haradinaj kishte ndarë 54 milionë euro shtesë për Bechtel & Enka” për autostradën e Shkupit.

Ish – ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte deklaruar se Qeveria e kaluar kishte dështuar që t’i paguante me rregull faturat.

“Për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”, kishte deklaruar Pal Lekaj.

Related Articles