Ish-kampionia e Kosovës në futbollin kosovar, Vushtrria, këtë sezon ka siguruar pozitën e cila e dërgon në rrugën drejt Superligës, por që ka dy ‘pengesa’.
Ekipi nga Vushtrria këtë edicion e ka mbyllur në vendin e dytë në kuadër të Grupit B në Ligën e Parë, shkruan Gazeta Enigma.
“Kaltërebardhit” do të përballen kundër Lirisë së Prizrenit e cila u rendit në vendin e dytë në Grupin A. Në rast të triumfit, atëherë do luhet edhe barazhi i dytë me ekipin që zë vendin e 8-të në Superligë.
Ballafaqimi i zjarrtë mes Lirisë dhe Vushtrrisë pritet të luhet në stadiumin “18 Qershori” të Klinës, të shtunën me 21 maj.
Redaksia e Gazetës Enigma e ka kontaktuar kryetrajnerin e Vushtrrisë, Samuel Nikaj, i cili ka folur për përballjen e së shtunës.
Nikaj ka thënë se atmosfera në skuadër është pozitive dhe ka falënderuar kryesinë e klubit për besimin.
“Atmosfera është shumë pozitive, jo vetëm para kësaj ndeshje, por ka qenë gjatë gjithë sezonit. Mendimi jem, i drejtuesve dhe i opinionit që e duan klubin është që kemi bërë një punë shumë të mirë duke pasur parasysh në çfarë gjendje e kemi gjetur klubin. Gjej rastin t’i falënderoj kryesinë e klubit që ma besuan këtë projekt për rikthimin e dinjitetit të këtij klubi 100-vjecar”, tha Nikaj.
Tekniku nga Shqipëria ka thënë se gjasat për të triumfuar ndaj Lirisë janë të barabarta dhe se beson fuqishëm tek lojtarët e tij.
“Gjasat janë 50 me 50, pasi përballë kemi një ekip me traditë. Edhe një ndeshje teke dhe mund të sjellë gjithçka, por kam besim tek lojtarët e mi, pasi janë lojtarë me eksperiencë dhe kualitetit. Ne do vazhdojmë me moton ‘respekt për çdo kundërshtarë, por frikë asnjë kundërshtari”, shtoi më tutje Nika.
Trajneri i shumë skuadrave shqiptare ka potencuar se është 100-vjetori i klubit dhe do ishte qershia mbi torte nëse do arrijmë të rikthehemi në Superligë.
“Përparësia kryesore është që në nuk e kemi pasur kusht domosdoshmërish Superligën, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të japim maksimumin për t’u futur ne historinë e këtij klubi pas që është edhe 100-vjetori i themelimit. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë legjenda të klubit, sepse janë 6-7 lojtarë që janë shpallur kampion në Superligë dhe e kanë ndihmuar ekipin për inkuadrim disa here, por kësaj here do jetë qershia mbi torte për faktin se është 100-vjetori”, vazhdoi Nika.
Tifozët vushtrrias, “Forca”, janë të njohur si më të organizuar në trojet shqiptare. Gjithashtu, ata kanë paralajmëruar një udhëtim gjigant drejtë Klinës për të përkrahur skuadrën e zemrës drejt objektivit.
Për fund, kryetrajneri Nika ka thënë se “Forca” janë numri një në shqiptari.
“Tifozëria jonë është numri një në shqiptari, ata e dinë që ne e duam klubin pa hile sepse u rikthyem për Ligë të Dytë dhe këtë ndeshje do ta interpretojmë si një ndeshje ‘jetë a vdekje’, me ndihmën e Zotit do ia dalim që të kthemi më fitore”, përfundoi Samuel Nikaj.
/GAZETA ENIGMA/