Rusia pretendon se ka goditur më shumë se 1200 shënjestra ushtarake me raketa, sulme ajrore dhe artileri, ndërsa përleshjet kanë shpërthyer në rrugë në rajonin lindor të Donbasit, ku trupat e Vladimir Putinit kanë nisur një ofënsivë të shkallës së gjerë.
Ushtria e Moskës arriti të marrë kontrollin e qytetit lindor të Kreminës, pas disa orësh bombardime intensive. Ministria e Mbrojtjes tha të martën se armë të precizionit të lartë kishin qëlluar pozicione ukrainase në Donbas, përfshirë qytetin e Slavyansk. Faza e dytë e luftës në Ukrainë, sipas inteligjencës britanike, mund të zgjasë me muaj.
Igor Konashenkov, zëdhnës i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, tha: “Sulmuam 1260 shënjestra ushtarake me rakta dhe artileri; 25 qendra komande në Nikolajev dhe Kirovsk, dy depo raketash dhe armësh, 2 raketahedhëse anti-ajrore dhe 1214 zona grumbullimi të armiqve”.
Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se beteja për Donbasin kishte nisur në orët e vona të së hënës, me autoritetet që e përshkruan situatën atje si një ferr i vërtetë. Paralelisht, Moska ka përfshkallëzuar ofensivën edhe në qytetin strategjik të Mariupolit, ku i ka dhënë ultimatum forcave të rezistencës në fabrikën e Azovstalit të dorëzohen brenda pak orëve, nëse duan të jetojnë.
Për të mundësuar largimin e mbrojtësve të qytetit jugor, ushtria ruse njoftoi hapjen e një korridori humanitar, ndërsa thuhet se do të ketë armëpushim të përkohshëm. Vendimi merret mes raportimeve të inteligjencës së Kievit se Moska ka vendosur të rrafshojë fabrikën e çelikut dhe hekurit, ku, sipas Ukrainës, strehohet jo vetëm batalioni Azov, por edhe gra e fëmijë.
Më herët, pati raportime se rusët po hidhnin bomba anti-bunkerë kundër impiantit. Fabrika e Azovstalit, që mbulon një territor prej 11 km katrorë, është xhepi i fundit i rezistencës në Mariupol, qytet që Rusia po përpiqet dëshpërimisht të marrë./A2CNN