Qindra protestues – përfshirë edhe amerikanët që jetojnë jashtë – kanë dalë në rrugë në qytete të mëdha të Evropës si shenjë kundërshtimi ndaj administratës së Donald Trumpit, ka raportuar “The Guardian”.
Të shtunën, protestuesit janë mbledhur në Frankfurt si pjesë e protestave “Hands Off”, të organizuara nga Demokratët jashtë SHBA-së.
Në Berlin, protestuesit qëndruan përballë një showroomi të Teslas dhe ambasadës amerikane, duke protestuar kundër Trumpit dhe shefit të Teslas, Elon Musk. Disa prej tyre mbanin pankarta me mesazhe që kërkonin “ndaljen e çrregullimit politik” në SHBA.
Në Paris, shumica e protestuesve – shtetas amerikanë – janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj presidentit amerikan. Ata mbanin pankarta me mesazhe si “Mos lejoni autokracinë”, “respektoni ligjin”, “të drejtat e grave janë liri – jo shtypje” dhe “ruani demokracinë nga rënia”.
Protesta pati edhe në Londër, në sheshin Trafalgar, ku protestuesit mbanin banere me mesazhe si “largojeni Trumpin nga skena”. Tubime u mbajtën gjithashtu edhe në Lisbonë.