Një 44-vjeçar shqiptar plagoset në Bruksel

Një 44-vjeçar shqiptar plagoset në Bruksel

Një 44-vjeçar shqiptar u qëllua me armë zjarri në një kafene mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:30 në Bruksel.

”Policia e veriut në Bruksel, u thirr për të shtëna në tarracën e një kafeneje, në rrugën Joseph Brand në Schaerbeek, të dielën më 28 prill rreth orës 22:30. Kur shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje, gjetën një burrë që vuante nga një plagë me armë zjarri. Viktima ishte në rrezik për jetën”, njoftoi policia.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet një burrë me kapuç që ka kaluar para viktimës dhe në një moment është kthyer me shpejtësi dhe më pas ka qëlluar 4 herë. Dy nga plumbat e kapën viktimën në kokë. Më pas autori u largua me shpejtësi. Viktima i identifikuar si Agustin Kaza ndodhet në gjendje kritike për jetën, njoftoi prokuroria e Brukselit përmes një komunikate për media.

”Prokuroria publike e Brukselit ia ka referuar një gjyqtari hetues akuzën për atentat në tentativë. Në vendngjarje ka dalë gjyqtari hetues i shoqëruar nga zëvendësprokurori i Mbretit në detyrë dhe laboratori i policisë gjyqësore federale në Bruksel.

Hetimi, i cili iu besua seksionit të vrasjeve të policisë gjyqësore federale në Bruksel, është në vazhdim, me qëllim përcaktimin e rrethanave të sakta të këtyre fakteve, kontekstin e tyre dhe kapjen e autorit(ve)”, njoftoi prokuroria belge, sipas Lapsi,al.

Kaza ndodhet në gjendje kome dhe se autoritetet dyshojnë se pas atentatit qëndrojnë çështje kanunore. Edhe policia shqiptare ka kërkuar informacion nga autoritetet belge.

Related Articles