Një i armatosur vrau 9 persona në një qendër tregtare në Teksas

Një i armatosur vrau 9 persona në një qendër tregtare në Teksas

Një tjetër masakër si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit është regjistruar në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një person i armatosur dhe i veshur ushtarakisht hyri në një qendër tregtare në Allen dhe filloi të qëllonte të pranishmit pa asnjë lloj motivi. 9 persona humbën jetën, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur.

Policia arriti të ndërhynte me shpejtësi dhe arriti të ekzekutonte në vendngjarje autorin, i cili kishte zgjedhur pikërisht një nga zonat më të frekuentuara të qytetit për të realizuar masakrën e radhës në SHBA.

Sipas autoriteteve në qendrën tregtare janë dëgjuar 20-60 të shtëna, teksa paniku kaploi të gjithë të pranishmit të cilët në kaos vrapuan për të shpëtuar kokën.

Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se vrasësi ishte veshur si ushtarak, madje dhe sjelljen e kishte si të tillë. Ata shtojnë se ai e dinte fare mirë se çfarë po bënte, deri sa u ekzekutua nga oficeri i policisë, që shmangu një bilanc më të rëndë të kësaj ngjarje.

Një video ka dalë së fundmi në rrjetet sociale ku shfaqet autori teksa zbret nga një makinë gri dhe nis të qëllojë me një armë automatike këdo që i del përpara.

Autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen e rëndë, teksa motivet janë ende të paqarta. /a2news/

Related Articles