Klinika e Neurologjisë po ballafaqohet me mungesë të stafit infermieror. Në këtë klinikë shërbimin për rreth 600 pacientët me sklerozë multiple, po e mundëson vetëm një infermier.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, i cili u shpreh se përkundër që në këtë klinikë kanë 56 infermierë, nevojat për këtë staf mbështetës është më e madhe.
Ai thekson se nëse duan të rrisin llojllojshmërinë e shërbimeve në këtë klinikë, e kanë të pamundur për shkak të numrit të pamjaftueshëm të infermierëve.
“Aktualisht Klinika e Neurologjisë i ka 56 infermierë, me të cilët i mbulojmë të gjitha shërbimet, normalisht që ky numër nuk është i mjaftueshëm dhe këtë duhet ta shikojmë në aspektin e asaj që çdo klinikë apo grup i ka karakteristikat e veta. Klinika e Neurologjisë merret me pacientë me aftësi të kufizuara, me shumë vështirësi të cilat shumë shpesh nuk është i mjaftueshëm një infermierë që t’u ofroj ndihmën e mjaftueshme, kështu që ende nëse si numër duket i mjaftueshëm. Nuk është i mjaftueshëm në natyrën e sëmundjeve që i kemi. Plus kësaj duhet llogaritur që çdo herë kemi edhe tendencë që të ofrojmë edhe më tepër sesa që kemi ofruar deri tash e këto zakonisht kanë implikimet, përveç infrastrukturore edhe në personel. Nëse dëshirojmë të ofrojmë shërbime të reja na nevojiten personel tjetër”, thotë Komoni për KosovaPress.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë në QKUK-së, Edmond Komoni u shpreh se me numrin e mjekëve qëndrojnë më mirë.
Komoni theksoi se tashmë kur kanë filluar projektin për sklerozën multiple, është vetëm një infermier për 580 pacientë.
E sipas tij, në mungesë të këtij stafi mbështetës po vërehen edhe në projektin e stroke center.
“Kemi filluar me projektin e sklerozës multiple ku për momentin vetëm një infermier i menaxhojmë 580 pacientë që vijnë e marrin terapinë dhe konsulta të tjera ditore. Do të thotë na nevojitet së paku edhe një infermierë ose edhe dy. Kemi pastaj projektin e strokut, i cili ka filluar të realizohet, nuk është i përfunduar. Është në fazat e implementimit për shkak se ka komplikime të mëdha edhe infrastrukturore të objektit, por edhe me staf infermieror, ku së paku na nevojiten 5 që ta mbajmë shërbimin e strokut. Po flas vetëm për pjesën e neurologjisë pa implikuar pjesën e radiologjisë që ka pjesën e saj… Në stafin mjekësor kryesisht qëndrojmë mirë, pra kemi nevojë për infermierë”, theksoi drejtori i Neurologjisë.
Pacientët në Kosovë po ballafaqohen me mungesë të barnave nga lista esencial, por në Klinikën e Neurologjisë thonë se furnizimet janë të qëndrueshme.
“Në përgjithësi një pjesë e madhe janë, ka ndoshta për shkak të procedurave tenderimit që munden me u vonua por ato bazike që janë pjesën më të madhe të kohës. Ka mungesa kohë pas kohe, por mundemi që porositë t’i bëjmë më përpara”, u shpreh Komoni./kp/