Prizren– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Xh.B., nën dyshimin për dhunimin e viktimës nën moshën 16-vjeçare.
Në njoftim thuhet se vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, e mori gjyqtarja e procedurës paraprake, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, të dyshuarit koha e paraburgimit do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit (21 mars 2023) dhe mund të zgjasë deri më 20 prill 2023.
“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri XH.B., gjatë muajit Nëntor/Dhjetor të vitit 2022, në Komunën e Suharekës, me dashje e detyron viktimën nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet për të kryer aktin seksual, për të cilin e di se është i ndjeshëm për shkak të moshës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se lidhur me atë se a do të argumentohen këto fakte, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku potencial që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, pasi që i dëmtuari është nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjeçare, dhe i pandehuri dyshohet se duke e kanosur kryer veprën penale të dhunimit, nga këto rrethana dhe pesha e veprës penale, është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.