Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.S.
Viktima është i dyshuar për shkak të veprës penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të të Republikës së Kosovës”.
Sipas njoftimit nga gjykata thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.S. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
“Të pandehurit H.S. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 pika 1.2.1, dhe paragrafi 1 nënparagrafi 2.2, pika 1.2.3 të KPPRK-së. I pandehuri H.S dyshohet se me vullnet dhe vetëdije të plotë me datë 23 nëntor 2015 është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar ”Adem Jashari” në Prishtinës dhe ilegalisht kishte hyrë në shtetin e Sirisë në mënyrë që ti bashkohet organizatës terroriste ISIS, me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.