Sot bëhen një vit kur u jetësua Qeveria Kurti, më 22 mars të vitit 2021.
Deputetët e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kishin votuar për Qeverinë e re të vendit, duke e kthyer Albin Kurtin edhe një herë në krye të Qeverisë.
Po atë ditë, Kuvendi kishte votuar edhe Glauk Konjufcën kryetar të Kuvendit, ndërsa disa javë më vonë edhe Vjosa Osmani u betua si presidente e Republikës, duke u bërë kështu gruaja e dytë në historinë e Kosovës që udhëheq me presidencën.
Me 71 vota për në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar.
Mandati i parë i Albin Kurtit si kryeministër zgjati shkurt, meqë partneri i koalicionit inicioi mocion mosbesimi duke e rrëzuar më 23 mars Qeverinë Kurti 1.
Për pak ditë, LDK-ja formoi një koalicion qeverisës së bashku me AAK – NISMA-AKR – Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti. Qeveria Hoti ishte zgjedhur më 3 qershor, me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo Qeveri njihet si qeveria e parë në Kosovë që bie për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Etem Arifi, e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti, është shpallur e pavlefshme pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale mashtrim me subvencione.
12 muajt e Qeverisë Kurti 2
Që nga marrja e mandatit të kryeministrit Albin Kurti, tema kryesore, ishte sigurimi i vaksinave kundër COVID-19.
Në Kosovë procesi i vaksinimit filloi më 29 mars, me kryeministrin Albin Kurti që mori dozën e parë në sallën e sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë.
Vaksinimi pastaj vazhdoi në sallën e sporteve si dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përpara se të zgjerohej tutje edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik më 22 shkurt 2022, deri më sot janë dhënë 1 milion e 820 mijë e 8 doza të vaksinës.
Gjatë mandatit rreth njëvjeçar të Kurtit, sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, është arritur një marrëveshje për targat.
Më 30 shtator është bërë njoftimi nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak i cili ka thënë se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të veturave.
“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, kishte shkruar ai në Twitter.
Fillimi i këtij viti po e gjen Qeverinë Kurti 2 me ngritje të çmimeve të produkteve të shumta.
Temë diskutimi vazhdon të dominojnë ngritja e çmimit të produkteve ushqimore si vaji ushqimor i cila një liëtër shkoi deri në 3.49 euro, kurse shqetësuese është edhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike dhe e derivateve,
Gjatë muajit shkurt 2022 Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të kenë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.
Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.
Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.
Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.
Si e shohin analsitët qeverisjen një vjeçare të Qeverisë Kurti
Analistët politikë, Arton Demhasaj dhe Gazmir Raci në një bisedë për Gazetën Enigma kanë folur për Qeverisjen Kurti.
Analisti politik, Arton Demhasaj e cilëson si pozitive çështjen e menaxhimit të vaksinimit nga Qeveria Kurti.
“E para që mund ta konsideroj pozitive është çështja e vaksinimit, në njëfarë mënyre Albin Kurti ka premtuar që brenda vitit deri në 60% do të ketë vaksinim të popullatës. Deri dikun ia kanë dalë, në këtë pikë mendoj që janë në rregull”, vlerëson Demhasaj.
Demhasaj e ka komentuar edhe çështjen e korrupsionit, duke thënë se sukseset duhet me iu faturu sistemit gjyqësor e jo qeverisë.
“Unë mendoj që Qeveria Kurti nuk e ka luftuar korrupsionin. Qeveria nuk e ka asnjë ingerencë ligjore që qeveria merret me korrupsionin. Korrupsionin e lufton policia, prokuroria dhe gjykata që i kanë ingerencat ligjore me kod penal dhe me kod të procedurës penale, kështu që çka do që lidhet me luftën pro dhe kundër korrupsionit duhet me iu faturu sistemit gjyqësor dhe jo qeverisë, sepse qeveria nuk ka bo diçka dhe nuk ka çka me bo në këtë drejtim.”, potencon Demhasaj.
Ndërsa analisti politik, Gazmir Rraci thotë se nuk mjafton lufta kundër krimit e korrupsionit, pasi vendi ka nevojë për zhvillim dhe procedimin e ligjit për pagat në sektorin publik.
“Nuk mjafton vetëm lufta kundër krimit e korrupsionit, vendi ka nevojë për zhvillim, rritje të investimeve, kohezion social dhe gjithashtu një paketë emergjente e mbështetjes direkte financiare duke e rritur pagën minimale, procedimin e ligjit për pagat në sektorin publik, fuqizimin e inspektoratit të punës, kujdësin social e shëndetësor etj”, vlerëson analisti politik Gazmir Rraci.
Si gjë pozitive në në aspektin e drejtësisë, Arton Demahasaj e cilëson nismën për reforma në për ligjet për Këshillin Prokurorial, vetingun, ligji për konfisikim, ligjin për deklarim dhe ligje të tjera.
“Ajo çka mundet me u konisderu pozitive në luftimin e korrupsionit është tendenca ose fillimi i një referomë pak më të gjërë që e ka nis Qeveria Kurti ose Ministria e Drejtësisë, që lidhet me ligjin për Këshillin Prokurorial, çështja e Vetingut, ligji për konfiskim, ligji për deklarim, një sër ligjesh që janë ndërmarrë, këto munden me u konsideru pozitive”, i konsideron si pozitive analisti politik Arton Demhasaj.
Demhasaj ka kritika për Qeverinë Kurti edhe për menaxhimin e çështjeve në sektorin ekonomik si rritja e çmimeve të energjisë elektrike, dervitave edhe e produkteve ushqimore.
“Të çështja e zhvillimit ekonomik nuk mendoj se ka pasur ndonjë lëvizje që mundet me u konsideru pozitive. Po e shohim që Kosova aktualisht e prekur nga inflacioni i rritjeve të çmimeve që aktualisht janë tepër të larta, kurse qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë mas në këtë aspekt, qysh është rritja e çmimit të energjisë, rritja e çmimit të dervivateve, rritja e çmimeve të produkteve esenciale për jetë. Qeveria Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim, në qoftë me i ndihmu qytetarëve, këtu mendoj se është gabim nga qeveria”, kritikon Demasaj.
Shtrenjtimin i rrymës shihet si vendimi ma negativ i marrë nga Qeveria Kurti, sipas analistit politik, Arton Demhasaj.
“Shtrenjtimi i rrymës është veprimi ma negativ që qeveria e ka marrë, ne e kemi pa që ka pasur një ngarëmbje mes qeverisë dhe ZRRE-se me u rrit çmimi i energjisë, përkundër që qeveria ose Vetëvendosje e ka proklamu vazhdimisht që energjia me qenë ma lirë, ne tasht po e paguajmë energjinë shumë më shtrenjtë, një pjesë e parave po i jepet një kompanie private që Vetëvendosja shumë e ka kritiku atë kompani dhe ajo me u nacionalizu, mendoj që është negative”, përfundon Demhasaj.
Analisti politik, Gazmir Raci thotë se kjo qeveri kishte presion në fillimin e saj për shkak pandemisë COVID-19.
“Natyrisht se pajtohem me disa kolegë të mi që thonë se kjo është qeveri fatkeqe sepse e filluan mandatin me zero vaksina por arriti që brenda një periudhë të shkurtë të vaksinojë mbi 50% të popullsisë. Kjo qeveri u ballafaqua me dy valë të pandemisë që morën shumë jetëra njerëzish dhe natyrisht se ishte edhe nën presionin e ekonomisë për shkak të mbylljes së saj”, thotë Gazmir Raci.
Raci tregohet i ashpër me Qeverinë Kurti për menaxhimin e situatës për rritjen e çmimeve. Ai bile i sugjeron Albin Kurtit që të bëjë ndryshime në Ministrinë e Shëndetësisë, Ekonomisë dhe Tregëtisë.
“Tek çështja e menaxhimit të situatës me çmimet në rritje qeveria pati ngecje sepse disa dikastere të saja nuk ishin proaktive në menaxhimin e kësaj situate andaj tash kam konsideruar që është momenti për ndryshime në qeveri sidomos tek Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Tregtisë. Qeverisjes i duhet energji e re për të quar ndryshimet përpara”, potencon Gazmir Raci.
Një sfidë e madhe për Kosovën, sipas Racit mbetet dialogo me Serbinë.
“Dialogu me Serbinë poashtu mbetet sfidë edhe për ketë qeveri por kërkohet maturi e përgjegjësi dhe bashkëpunim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian që sa më shpejt të mbyllet ky proces më një marrëveshje finale dhe pastaj ti hapet rrugët e integrimit euroatlantik, liberalizimit të vizave, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomiko-social”, sugjeron Raci. /Gazeta Enigma/