Policia ka nisur hetimet për incidentin e mbrëmshëm në Mitrovicë të Veriut, ku nga shpërthimi i një granate dore, janë plagosur dy persona. Motivi dhe detajet e tjera akoma nuk dihen, por sipas Policisë nuk ka arsye të besohet se rasti ka lidhje me çështje etnike.
Zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani ka thënë se sipas informacioneve të para, cak kanë qenë tre persona të cilët ishin duke u futur në veturë kur u sulmuan.
Njëri prej tyre, sipas Elshanit ka qenë i plagosur edhe në një rast tjetër, vitin e kaluar.
“Nuk kemi arsye të besojmë se ky rast ka lidhje me çështje etnike. Kjo çështje nuk është politike, mund të jetë për qërime hesapesh apo vepra të tjera. Jemi duke hetuar tashmë disa pista. Njëri nga të lënduarit ka qenë i plagosur në një rast tjetër vitin e kaluar, pra është i njohur.”, tha Elshani.
Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe shtatë vetura që gjendeshin aty pranë.
Edhe në të kaluarën, në Mitrovicë të Veriut ka pasur incidente me mjete plasëse.