Njeriu i Radojçiqit që rrezikoi jetën e policëve në Leposaviq i përfshirë në 17 vepra penale

Njeriu i Radojçiqit që rrezikoi jetën e policëve në Leposaviq i përfshirë në 17 vepra penale

Policia e Kosovës ka deklaruar të hënën se në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll.



Sipas Policisë, vetura gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës, duke “rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”.

Në atë veturë ishin të dyshuarit D.S., dhe M.D., të cilët së bashku kanë një veprimtari kriminale.

Një nga dy të implikuarit në këtë rast është edhe Meljan Deleviq.

Deleviq është njeriu i Millan Radoiçiqit, i cili gjendet në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Kjo vërehet edhe në postimet e tij në Facebook. Madje, ai e quan Radojçiqin gjeneral dhe një njeri i cili “nuk gjunjëzohet para shqiptarëve”.

“Të gjithë serbët në veri e dinë se Millan Radoiçiqi është njeri i cili nuk do të gjunjëzohet para shqiptarëve dhe kurrë nuk do ta shesë popullin e vet në dallim prej disa serbëve tjerë. Prandaj edhe i pengon shumë disa serbëve sepse po iu prishë konceptin të qeverisin dhe me urdhërdhënësit e tyre shqiptarë të shkatërrojnë gjithçka që është serbe për një grusht dukatë. Na rrofsh gjeneral”, thuhet në postimet e tij.

Mes tjerash, ai thotë se në Kosovë ‘ka mijëra Radoiçiqia që janë të inkurajuar për luftë’.

“Përkrahje vëllait tonë Millan Radoiçiq!!! Në ty do të reflektohet të jesh edhe më i fortë dhe më i vendosur që të mbijetojmë dhe të qëndrojmë në Kosovën dhe Metohinë serbe e edhe ata që janë përpjekur të të pengojnë e nuk janë shqiptarë ata tani janë në vrimën e minit. Në Kosovë dhe Metohi ka mijëra Radoiçiqa kështu që askush nuk mund të na frikësojë por jemi të inkurajuar në luftën….”.

Sipas Policisë, Deleviq i cili është 37-vjeç dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale.

Ai dyshohet për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova dhe jo vetëm. I njëjti ka kryer edhe tri kundërvajtje.

Gjithashtu, edhe D.S., i cili është i përfshirë në rastin e sotëm në Leposaviq ka një të kaluar kriminale.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë, dërguar mediave.

Incidenti i së hënës ndodhi pasi Policia e Kosovës kishte vendosur një pikë kontrolli për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, por edhe për të parandaluar krimin dhe kontrabandën.

Autoritetet e rendit thanë se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkaq përveç hetimeve për rastin, PK ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për procedura të mëtejme.

Related Articles