Eksplodimi i mjetit të pashpërthyer i gjetur në Stagovë të Kaçanikut do të bëhet më 2 maj nga ora 9:00-13:00. Ky operacion ishte paraparë të ndërmirrej më 30 prill nga Njësia e Deminimit e KFOR-it, por Policia ka njoftuar se është shtyrë për dy ditë.
“Ju njoftojmë se operacioni i eksplodimit të mjetit të pashpërthyer, i cili ndodhet në fshatin Stagovë të Kaçanikut, në lagjen “Teneqja” që ishte i paraparë të realizohet me datën 30.04.2025 nga Njësia e Deminimit të KFOR-it, është shtyrë për datën 02.05.2025 nga ora 09:00-13:00”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia ka listuar masat që duhet të respektohen nga qytetarët gjatë operacionit:
– Zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes.
– Brenda kësaj zone ndalohet rreptësisht qëndrimi i njerëzve. Ndërsa rekomandohet largimi në vend të sigurt i kafshëve dhe makinerive.
Banorët e lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në fshatin Stagovë luten që:
– Të mbajnë dritaret e shtëpive hapur, për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale.
– Të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive.
– Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjenca do të jenë në gjendje gatishmërie dhe të pranishëm në një zonë të sigurt, për të reaguar në rast nevoje.
– Policia do të njoftojë banorët përreth dhe do të sigurojë që, në datën dhe orët e lartcekura, të mos ketë persona jashtë shtëpive.
– Këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit.