Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Nadia Murad, po zhvillon një vizitë në Kosovë.
Ajo sot është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani.
Osmani tha se Murad është një nga zërat më të fuqishëm në botë në luftën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Bashkë me Osmanin, Murad vizitoi të mbijetuarat si dhe organizatat të cilat punojnë afër me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ajo sot ishte në Kosovë që t’i bashkojmë forcat për ta fuqizuar zërin e të gjitha të mbijetuarave në Kosovë e përtej”, shkroi Osmani për nobelisten me origjinë irakiane.
Nadia Murad është një aktiviste irakiane për të drejtat e njeriut. Ajo më 2018 fitoi çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte dhe konfliktit të armatosur.
Ajo është irakianja e parë që ka fituar çmimin Nobel. /Gazeta Enigma