Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se ekipi i tij është gati për finalen e Kupës së Kosovës që do të zhvillohet të enjten.
Nuhiu ka shtuar se do të mundohen t’i shfrytëzojnë pikat e dobëta të Llapit.
“Është ndeshje futbolli, i kemi marrë masat. Kam besim te skuadra, gjithçka që kemi përgatitur do t’i nxjerrim në fushë. Kemi përballë skuadër të shkëlqyer. Do të mundohemi t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të kundërshtarit. Do të mundohemi të jemi vetvetja. Skuadra jonë ka dëshirë që ta ketë topin, kur nuk e kemi, do të mundohemi ta fitojmë sa më shpejt. Skuadra është e plotë, gati për të dalë në fushë. Duam të shkruam historinë, për Intelektualët, për stafin, për të gjithë”, ka thënë Nuhiu në konferencë për shtyp.
Trajneri i klubit gjilanas e ka parasysh se përballë do ta ketë skuadrën me sulmin më të mirë këtë edicion.
“Skuadra e Llapit, në mos gaboj, është skuadra që ka shënuar më së tepërmi. Kanë sulm të rrezikshëm. Por edhe ne kemi shënuar mjaft. Kjo ndeshje do përqendrim dhe besim maksimal, sepse është vetëm një ndeshje. Jemi të përgatitur për gjithçka, qoftë vazhdimet apo penalltitë”, u shpreh ai.
Nuhiu ka thënë se dëshiron që sonte finalen e Ligës së Konferencës ta fitojë Feyenoordi, ekip që nisi rrugëtimin duke e eliminuar Dritën.
E kapiteni i Dritës, Ardian Limani, ka thënë se e kanë përvojën si avantazh karshi Llapit, por shtoi se duhet ta fitojë trofeun për shkak të tifozëve.
“Mendoj qe çdo trofe është i rëndësishëm për një lojtar, por aq më tepër për një kapiten. Për kapitenin është privilegj sidomos kur e ngrit. Për mua kjo do të jetë finalja e parë dhe trofeu do të jetë i veçante. E di që edhe tifozët e presin me padurim këtë trofe që mungon tash e shumë vite dhe do të bëjmë të pamundurën për ta fituar. Kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar pikat e forta të Llapit, por gjithashtu ata kanë edhe pikat e dobëta, në të cilat do të sulmojmë. Mendoj se jemi të gatshëm 100% për t’u përballur me ta. Përvoja është në anën tonë dhe kohët e fundit kemi fituar trofe dhe e kemi obligim ta menaxhojmë stresin e lojës dhe duhet t’i shpërblejmë tifozët tanë me trofe sepse ata e meritojnë këtë për shkak të përkrahjes së madhe që na e kanë dhënë gjatë gjithë sezonit”, ka thënë Limani.
Drita dhe Llapi luajnë të enjten finalen e Kupës në “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:00. Secila skuadër e ka të fituar nga një herë në histori trofeun e Kupës.