Në prag të ndeshjes derbi Drita – Gjilani, klubi “bardhekaltër” ka mbajtur konferencë për media ku kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Besnik Krasniqi folën për përgatitjet dhe pritshmëritë.
Në këtë rast, trajneri Nuhiu theksoi se nesër zhvillohet një ndeshje speciale, për të cilën Drita duhet të tregojë karakter.
Trajneri shkupjan ka theksuar se e njeh mirë ekipin kundërshtar dhe ka shtuar se futbollistët e tij janë në formë.
“Na pret një ndeshje speciale për ne dhe tifozët tanë, të cilën duhet ta luajmë me përqendrim dhe përgjegjësi. Skuadrën kundërshtare e njohim mirë, ata kanë një ecuri të mirë dhe cilësi. Më gëzon forma e mirë e skuadrës tonë, ku përveç në aspektin ekipor edhe në atë individual, ku të gjithë futbollistët dalëngadalë po marrin formën e tyre optimale. Secili po e njeh bashkëlojtarin dhe po përformojmë jashtëzakonisht mirë. Neve na mbetet që me shumë autoritet dhe përgjegjësi të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të shfrytëzojmë potencialin tonë të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje. Nesër e dijmë që derbi do të zhvillohet pa tifozë, por jam i bindur se ata nuk do të mungojnë dhe do ta mbështesin skuadrën kudo që e ndjekin lojën”, ka thënë trajneri Nuhi në konferencë për media.
Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Gjilanit luhet me fillim nga ora 15:00 në stadiumin me bari sintetik.