Qeveria nuk do t’i ekzekutojë pagat për grevistët, derisa këta të fundit kanë qëndruar më shumë se një muaj në grevë.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë ka deklaruar zyrtarisht se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – tha Kryeziu.
Ligjërisht a ka të drejtë Qeveria të mos i ekzekutojë pagat për grevistët?
Ehat Miftaraj nga KDI, ka thënë për Gazetën Enigma se pezullimi ose mosekzekutimi i pagave për grevistët është veprim represiv dhe i kundërligjshëm i qeverisë.
Miftaraj thekson se qeveria është duke e lexuar gabimisht ligjin për grevën.
Pezullimi ose mosekzekutimi i pagave për grevistët është veprim represiv dhe i kundërligjshëm i qeverisë. Qeveria është duke e lexuar gabimisht ligjin për grevën”, ka thënë ai.
Mes tjerash, ai shton se “ligji për grevn përcakton në mënyrë taksative se ky ligj ka për qëllim garantimin e lirive dhe të drejtave, lidhur me organizimin dhe pjesëmarrjen e të punësuarve në Kosovë në grevë sipas standardeve ndërkombëtare”.
Tutje, Miftaraj thotë se e drejta e grevës është garantuar në kuadër të veprimeve sindikale dhe në këtë drejtim sipas tij nëse grevistët në njëfarë forme penalizohen për grevën e tyre vet grevës i humb kuptimi.
“Duhet ta kemi parasysh se e drejta e grevës është garantuar në kuadër të veprimeve sindikale dhe në këtë drejtim nëse grevistët në njëfarë forme penalizohen për grevën e tyre vetë grevës i humb kuptimi”, tha ai.
Sipas Miftarajt “Organizata Ndërkombëtare e Punës ndër të tjera ka lëshuar opinion ligjor lidhur me pezullimin e pagave për grevistë, duke kërkuar nga shtetet anëtare që këtë ccështje ta rregullojnë në bazë të kontestit të secilit shtet vec e vec, ku theks te vecante i kushtohet faktit që të mos cenohet e drejta e në grevë”.
Cila mund të jetë zgjidhja e duhur?
Miftaraj thotë se Ministria e Financave të tërhiqet nga ky vendim dhe nëse vazhdon të aktivizohet edhe prokurori edhe prokurori i shtetit në drejtim të hetimi të këtij rasti për të konstatuar nëse ka vepër penale apo jo.
“E para që duhet të bëjë është që Ministria e Financave të tërhiqet nga ky vendim dhe nëse vazhdon të aktivizohet edhe prokuroi i shtetit në drejtim të hetimit të këtij rasti për të konstatuar nëse kemi ose jo vepër penale”.
“Neni në të cilën thirret Ministria e Financave nuk qëndron sipas atij interpretimi që thotë ajo për shkak se në rastin konkret bëhet fjalë për detyrimet të cilat i kanë punëtorët në raport me punën e tyre. Kjo qasje e ministrisë së financave mund të implikojë edhe përgjegjësi penale për shkak se cenimi i së drejtës në grevë kur bëhet përmes veprimeve të kundërligjshme hynë edhe në fushën penale dhe kemi të bëjmë edhe me përgjegjësi penale”, tha tutje Miftaraj.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka parë me shumë shqetësim kërkesën që tu ndalen pagesat secilit person që merr pjesë në grevë dhe sipas tyre kjo është cenim i të drejtave të punëtorëve të cilët përmes grevës dëshirojnë dhe bëjnë presion ndaj qeverisë që ti realizojnë kërkesat e tyre.
Ndërsa, në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar nëse deri me 5 tetor nuk do të ekzekutohen pagat situata do të përkeqësohet.
“Nga informacionet që i kemi jozyrtare flitet se nuk iu kanë dal pagat ne jemi në pritje sepse afati ligjor është deri me 5 tetor, shërbyesve civil iu kanë dal pagat ndërsa në sistemi arsimor kp , ne gëzohemi që ata kanë paga por Qeveria ish dashtë të veproj njëjtë t’i ekzekuton pagat e jo të bëjnë ndasi pasi që ndalja e pagës është joligjore. Nëse bëhet ky akt i ndëshkimit një situatë do të kemi më të keqe në sistemin arsimor”, deklaroi Jashari.
Ndryshe, nga SBASHK po kërkojnë një shtesë prej 100 eurosh derisa “Ligji për Paga” të hyjë në fuqi, ndërsa nga Qeveria kanë thënë se kanë ofruar mbështetje për mësimdhënësit në Pakon e fundit të miratuar nga Qeveria. /Gazeta Enigma/.