Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, tha se ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar që Kosova duhet të presë për liberalizim të vizave derisa të hyjë në funksion sistemi i sigurisë ETIAS.
Sipas saj, Kosova duhet t’i bëjë përgatitjet e saja në qoftë se ky proces do hyjë në fuqi, mirëpo përsëri Gaxherri e konsideron si kusht të padrejtë.
“Këtë vit me të drejtë kemi pritur për liberalizimin e vizave. Ende nuk e kemi një konfirmim zyrtar për procesin e sigurisë ETIAS që Kosova duhet të presë deri sa të fillojë ai proces të ekzekutohet, e pastaj të jemi pjesë e liberalizimit të vizave. Kjo është e pakuptimtë dhe e padrejtë, por dua të besoj se ndoshta në diskutim e sipër ne të bëjmë përgatitjet e duhura në qoftë se ky proces do hyjë në funksion. Por, të na thonë se duhet të presim deri sa ky proces të hyjë në funksion, është krejtësisht i padrejtë”, deklaroi Gaxherri në emisionin “Ditari”.
Më tej, Gaxheri tha se Institucionet e Kosovës këto ditë duhet të jenë më shumë aktivë, pasi siç tha ajo, tanimë duhet ta dinë saktë se ku është problemi dhe paqartësia në këtë çështje.
Ndërkaq, e pyetur se cila mund të jetë arsyeja e vërtetë që Kosova pret me vite për liberalizim të vizave, Gaxherri tha se shumë shpesh u është thënë se ka të bëjë me probleme teknike, mirëpo sipas saj, kjo problematikë ka kaluar në aspektin politik.