Nuk u miratua marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore, Murati kritikon LDK-në

Nuk u miratua marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore, Murati kritikon LDK-në

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi në Kuvend nuk u miratua marrëveshja ndërkombëtare për reformën e sistemit të ndihmës sociale.

Ai përmës një shkrimi tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ishte shkaktare që marrëveshja e nënshkruar më Bankën Botërore në vlerë prej 47 milionë euro për skemat sociale nuk kaloi.

 “LDK sapo bëri histori në Kuvend! Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar sa më mirë dhe përfshirë familjet në nevojë, që është aq e nevojshme sidomos në këto kohë”, ka pohuar ai.

Ministri ka njoftuar se “projekti kishte synim ndërtimin dhe integrimin e sistemeve që këto familje të mbështeteshin drejt integrimit në tregun e punës, ashtu që mbështetja sociale të ishte e përkohshme, dhe të shërbente si fazë kalimtare deri në punësimin e tyre”.

Ndryshe, me vetëm 75 vota për, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend.

E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK. /Gazeta Enigma/.

Related Articles