Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë po përballet me mungesë të inspektorëve për mbikëqyrje të suksesshme në terren të masave të fundit anti-Covid, vendosur nga Qeveria.
Zyrtari për informim nga ky institucion, Lamir Thaçi ka njoftuar se aktualisht AUV ka vetëm 11 inspektorë, të cilët njëkohësisht janë të angazhuar edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore.
“Për momentin ne kemi numër të kufizuar të inspektorëve për të bërë mbikëqyrjen e zbatimit të masave anti-Covid sepse aktiv aktualisht janë vetëm 11 inspektorë gjithë territorin e Kosovës dhe këta po ashtu janë të angazhuar në kontroll të sigurisë ushqimore, të cilën në asnjë moment nuk mund ta lëmë pa mbikëqyrje”, është shprehur ai.
Sipas Thaçit që masat të arrihet të inspektohen siç duhet, AUV ka nevojë për gjithsej 85 inspektorë të terrenit.
Madje ai ka treguar se një kërkesë të tillë tashme e kanë paraqitur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe në momentin që ajo aprovohet, AUV sipas Thaçit është gati për zbatueshmëri të plotë të vendimit.
“Ne kemi paraqitur kërkesë pranë ministrisë së Shëndetësisë për angazhim të një numri tjetër të inspektorëve prej 85 e kemi parë të nevojshme që janë të mjaftueshëm për të bërë mbikëqyrje efektive në terren. Kjo kërkesë është aprovuar dhe presim procedurat që të realizohen shumë shpejt dhe të bëhet rekrutimi i 85 inspektorëve. Në ditën e parë që këta t’i nënshkruajnë kontratat menjëherë do të fillojnë me punën në terren.
“Ne i kemi të gjitha planet, kemi përvojën se si të bëjmë mbikëqyrje efektive të zbatimit të masave anti-Covid, sepse edhe vitin e kaluar ne tërë kohën kemi qenë në terren. Çfarëdo vendimi që vjen nga Qeveria, çfarëdo mase që vendoset dhe urdhri që vije nga ministri apo kryeministri ne jemi të gatshëm që të bëjmë zbatueshmëri”, ka shtuar ai.
Tutje ai ka thënë se 11 inspektorët e AUV, tashmë kanë dalë në terren dhe që në ditën e parë të punës kanë hasur në shkelje të masave, për të cilat edhe kanë shqiptuar dënime.