Aksioni i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit për luftimin e dukurive ilegale në Karaçevë të Kamenicës është në përfundim e sipër.
Sipas burimeve të Express deri më tani në këtë zonë janë rrënuar rrafshë me tokë tri kazino, dy persona janë prangosur dhe është bërë konfiskimi i një numri të konsiderueshëm të aparateve të lojërave të fatit. Po ashtu janë identifikuar edhe persona tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.
Organet e rendit po vazhdojnë të ndërhyjnë në zhvillimin e dukurive ilegale në Karaçevë të Kamenicës, policia ka konfirmuar se aksioni ka nisur mëngjesin e sotëm.
LEXO EDHE: Aksioni në Karaçevë, Sveçla jep detaje: U godit rrjeti i kazinove, rrënuam objekte
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga ky aksion të cilin e ka quajtur të suksesshëm, teksa ka thënë se sot është goditur rrjeti i kazinove ilegale në Karaçevë.
“Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, shkruan Sveçla ndër të tjera në Facebook, transmeton Express.
Për aksionin ka folur edhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj, duke u shprehur se aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar dhe aty ka asistuar edhe komuna.
“Aksioni ka qenë i koordinuar mes organeve të drejtësisë kemi qenë të njoftuar për këtë aksion. Kazinot që kanë qenë të ndërtuara në mënyrë ilegale janë rrënuar. Bëhet fjalë për tri kazino të rrënuara. Aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar si dhe komuna ka asistuar në rastin e rrënimit”, tha Rrahimaj për Gazetën Express.
Aksione të Policisë së Kosovës kundër dukurive ilegale në Karaçevë ka pasur edhe në të kaluarën, por që sërish kanë nisur të lulëzojnë kazinot.
Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër 73 personave lidhur me rastin ‘Karaçeva’, në mesin e tyre ka edhe zyrtarë policorë. / Gazeta Enigma.