Numri një i UEFA-s, Alexander Ceferin vijon me deklaratat e tij kundër ish-presidentit të Juventus, Andrea Agnelli. Ceferin theksoi se historia e Agnellit me Juventusin duhej të mbyllej ashtu siç përfundoi duke qenë se pas problemeve financiare të klubit, i duhej të tërhiqej me patjetër.
“A u gëzova kur Agnelli u tërhoq nga Juventus? Nuk mund ta them që më erdhi mirë sepse nuk kisha ndonjë arsye të veçantë për t’u gëzuar. Unë di shumë gjëra më shumë se tifozët, por tashmë ajo është një histori e mbyllur. Historia e Agnellit me Juventus duhej të përfundonte ashtu siç përfundoi. Gjithçka ishte e gabuar.
Më duhet të theksoj se nuk kam asnjë marrëdhënie personale me Agnellin dhe se vazhdoj ta respektoj Juventusin si klub. Nuk kam asgjë me tre klubet që kërkojnë Superligën, unë jam thjesht kundër atyre që marrin këto vendime në klub. Këto tre klube që e quajnë veten si shpëtimtarë të futbollit kanë shumë probleme.
Një prej tyre ka probleme në lidhje me buxhetin ndërsa një tjetër thuhet se ka paguar para te një prej liderëve të organizatës së arbitrave. Të shohim nëse do të ketë probleme edhe për klubin e tretë dhe të shohim si do të shpëtojnë futbollin. Komentet e tjera janë të tepërta”, u shpreh Ceferin.