O’Brien: Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj pa rrezikuar fqinjët e saj

O’Brien: Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj pa rrezikuar fqinjët e saj

Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien ka theksuar se në Ballkanin Perëndimor rrezik përbëjnë “betejat lokale” që kthehen në konflikt politik e që prekin të gjithë rajonin.

I pyetur nga Tanjug se si e sheh situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, O’Brien ka theksuar se “rreziku primar është veriu i Kosovës dhe kërcënimi me shkëputje i një pjese të Bosnjë-e Hercegovinës.

“KFOR-i si dhe EUFOR-i, janë aty për të parandaluar bandat e vogla lokale. Kemi bashkëpunim të mirë me Serbinë dhe autoritetet e Kosovës në përpjekje për t’i zgjidhur rreziqet e dhunës në veri dhe mendoj se kemi një shans për procese politike që do të adresojnë shkaqet e dhunës”, tha O’Brien.

Mediumi serb ka pyetur diplomatin amerikan se “pse Kosovës i lejohet të blejë dronë kur sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së e vetmja forcë e armatosur që lejohet të operojë në Kosovë është KFOR-i”, e O’Brien thotë se Rezoluta 1244 krijoi një proces për të diskutuar për të ardhmen e Kosovës.

“Ai proces çoi në pavarësinë e Kosovës. Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj pa rrezikuar fqinjët e saj. Në përgjithësi, është një hap përpara drejt stabilitetit në rajon dhe për këtë do të ketë mbështetjen e SHBA-së,” tha O’ Brien.

Related Articles