Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë me dije se rritja e infektimeve me Omicron rrezikon të zhysë sistemet shëndetësore në të gjithë Evropën.
Gjithashtu OBSH-ja ka paralajmëruar se më shumë se gjysma e popullsisë së rajonit do të infektohet me variantin në dy muajt e ardhshëm.
Hans Kluge, drejtori i OBSH-së për Evropën, ka thënë se rajoni ka regjistruar më shumë se shtatë milionë raste të reja në javën e parë të vitit 2022.
Sipas tij, varianti është raportuar në 50 nga 53 shtetet e rajonit të Evropës dhe po bëhej dominues në Evropën Perëndimore.
“Me këtë ritëm, më shumë se 50 për qind e popullsisë në rajon do të infektohet me Omicron në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme”, ka parashikuar ai.
Kjo është një shkallë transmetimi, e cilësuar si e paprecedentë, tregon agjencia e lajmeve “The Guardian”.
Kluge ka theksuar se ndikimi mund të jetë më vdekjeprurës aty ku normat e vaksinimit janë më të ulëta, si në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Në Danimarkë, ku rastet e Omicron kanë “shpërthyer javët e fundit”, shkalla e shtrimit në spital për pacientët e pavaksinuar gjatë javës së Krishtlindjes ka qenë gjashtë herë më e lartë se për ata që ishin plotësisht të vaksinuar.
Teksa vaksinat kanë ofruar “mbrojtje të mirë”, rritja e pranimeve në spitale po “sfidon sistemet shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve në shumë vende”, ka shtuar ai.
Dhe se në vendet që nuk kanë ecur me vaksinimin, rritja e virusit të ri i bënë qytetarët më të cenueshëm.
Sipas tij, qeveritë në këto vende duhet të mandatojnë maska të cilësisë së lartë në të gjitha hapësirat e mbyllura dhe të sigurojnë që seritë e plota të vaksinave dhe dozat përforcuese të jepen sa më shpejt.
Sidomos në sektorët e shëndetësisë dhe shërbimeve thelbësore.
“Aty ku ka filluar rritja e Omicron-it, prioriteti duhet të jetë shmangia dhe zvogëlimi i dëmit në mesin e të cenuarve dhe minimizimi i ndërprerjeve në sistemet shëndetësore dhe shërbimet thelbësore”, ka thënë Kluge.
Ai ka ravijëzuar se për testimin PCR duhet t’u jepet përparësi individëve në rrezik të sëmundjeve të rënda dhe punëtorëve në sektorë kritikë”.
Ndërkaq, testet e shpejta duhet të vendosen më gjerësisht, “duke i dhënë përparësi kontakteve me rrezik të lartë infektimi dhe në rrezik të lartë”. /Gazeta “Enigma”/