Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, nxiti sërish sot vendet e pasura anëtare të G7-s t’i japin përparësi absolute qasjes së barabartë të vaksinave, duke thënë se situata aktuale është “e papranueshme”.
“Gjëja më e rëndësishme që na duhet tani janë vaksinat, barazia e vaksinave”, tha Ghebreyesus në fund të konferencës së tij dyjavore për shtyp, pasi kujtoi se pandemia vazhdon ende, me rreth 100 000 vdekje çdo javë.
“Ne të gjithë e dimë se çfarë duhet të bëhet për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe kështu të rrisim mbulimin e imunizimit në të gjitha vendet”, theksoi ai, para se të kujtojë se “më shumë se 80%” e të gjitha dozave të vaksinave antiCOVID-19 të administruara në botë ishin “në vendet me të ardhura të larta, ndërsa vendet me të ardhura të ulëta kishin vetëm 0,3%”.
“Është e papranueshme, ky lloj hendeku është i papranueshëm, jo vetëm sepse është çështje morali, por gjithashtu sepse nuk do të arrijmë ta mposhtim virusin në një botë të ndarë”, këmbënguli kreu i OBSH-së. Ai paralajmëroi se vetëm vaksinat nuk ishin të mjaftueshme dhe se ishte absolutisht e nevojshme të vendoseshin masa shëndetësore, si izolimi, gjurmimi, maskat, distancat sociale sa më shumë që të jetë e mundur.