Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar që të shtyhet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike së paku për një vit.
Kjo kërkesë vije pasi sipas tij, vendimi është marrë në kohë të shkurtër dhe nuk ka pasur kohë që bizneset të përgatiten.
Rafuna ka thënë se në takimin me bizneset, kërkesa e tyre ka qenë që të shtyhet ky vendim si dhe që institucionet e Kosovës të subvencionojnë sektorin e prodhimit.
“Patëm një mundësi t’i dëgjojmë shqetësimet e biznesit. Shqetësimet më të mëdha ishin te bizneset e prodhimit, ku do të ketë efekt zinxhiror, do të rrit koston e produktit që më pas do të bartet tek konsumatori. Është kërkesë të shqyrtohet mundësia të shtyhet të paktën për një vit ky vendim. E dyta kërkesë drejtuar institcioneve të Kosovës është që sektori i prodhimit të subvencionohet. Kërkesa e të gjithëve është që të shtyhet së paku për një vit implementimi i këtij vendimi, sepse ka sfida të tjera dhe kjo sfidë shtesë është shumë.”, ka thënë Rafuna në konferencë për media. /Gazeta Enigma