52 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë reaguar të hënën me shqetësim të thellë ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si “bllokadë institucionale” zvarritjen e procesit të konstituimit të legjislaturës së re, e cila sipas tyre përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit demokratik dhe funksionimit kushtetues të shtetit.
Në deklaratën e përbashkët, organizatat theksojnë se Kuvendi i Republikës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe shtylla e demokracisë parlamentare.
“Prej më shumë se dy muaj e gjysmë, vendi qëndron pa një Kuvend të konstituuar. Ky vakum institucional ka penguar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen demokratike të Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve urgjente që prekin jetën e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Organizatat mirëpresin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor 2025 (rasti KO124/25), duke e konsideruar si një ndërhyrje të domosdoshme për të sqaruar paqartësitë procedurale dhe për të përcaktuar kufijtë kushtetues rreth procesit të konstituimit të Kuvendit.
Sipas tyre, vendimi i Gjykatës rithekson se procedura për konstituim është e përcaktuar qartë nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat e konsoliduara parlamentare, dhe se çdo devijim përbën shkelje të rendit kushtetues.
“Gjykata theksoi se partia fituese ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë është e kushtëzuar me ndërtimin e një shumice parlamentare përmes bashkëpunimit ndërpartiak”, citohet në reagim.
Organizatat kanë kritikuar ashpër mënyrën e menaxhimit të seancës konstituive nga Kryesuesi Avni Dehari, duke e akuzuar për devijim nga rendi i dakorduar në takimin e 8 prillit 2025 dhe për ndërhyrje në procedurë.
Sipas tyre, Dehari ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive tjera parlamentare, gjë që cenon rëndë përfaqësimin e drejtë dhe shndërron procesin në një veprim njëpartiak.
Në vazhdimin e seancës më 28 qershor, organizatat pretendojnë se është shkelur qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përmes “instrumentalizimit të Kryesuesit” dhe përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje për të imponuar një zgjidhje të njëanshme.
“Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe të interesave të ngushta partiake. Deputetëve po u mohohet e drejta për të ushtruar funksionin e tyre, ndërsa qytetarët mbeten pa përfaqësim funksional”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, organizatat nënvizojnë se Kuvendi nuk është pronë e një partie të vetme dhe nuk mund të mbahet peng nga asnjë subjekt politik.
“Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave dhe vullnet për kompromis. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit”, theksohet në reagim.
Organizatat theksojnë nevojën që Kuvendi të rifillojë punën në mënyrë funksionale për të garantuar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe përfaqësimin e interesit të qytetarëve.
Lista e organizatave nënshkruese
Advocacy Training & Resource Center (ATRC), Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), Balkan Green Foundation (BGF), CEL Kosova, Community Building Mitrovica (CBM), Democracy Plus (D+), Demokraci për Zhvillim (D4D), GERMIN, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Syri i Vizionit, etj.
(Në total: 52 organizata të shoqërisë civile.)