Rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 27 marsit në komunën e Ulqinit kanë zgjedhur fitues koalicionin “Për një fillim të ri”, të udhëhequr nga Lëvizja Qytetare URA, në bashkëpunim me partitë tjera që kanë qenë në koalicion.
Ata kanë fituar 14 ulëse nga 33 sa i ka Kuvendi Komunal në Ulqin, duke ua pamundësuar kështu krijimin e shumicës në këtë kuvend dhe për të hapur diskutimet për koalicione paszgjedhore me partitë e tjera.
Në lidhje me këto, në një intervistë për Klan Kosovën ka folur bartësi i listës së këtij koalicioni, Omer Bajraktari, i cili është edhe pretendent për kryetar të Ulqinit.
Ai u shpreh se gjatë zgjedhjeve të ditës së djeshme ka pasur disa parregullsi.
“Dita e djeshme ka qenë kryesisht e qetë, ashtu sikurse edhe fushata. Kemi dhënë kontributin tonë që të jetë një fushatë e pajtimit, fushatë pozitive dhe ka qenë e shkurtër. Dje ka pasur disa parregullsi, që do të shohim se a të rezultojnë me përsëritjen e votimeve në vendvotime. Nuk përputhet numri i votuesve me numrin e kuponëve, kjo është një parregullsi, do të shohim pse ka ardhur deri te kjo dhe shpresoj që Komisioni Zgjedhor të japë vendimin e vet dhe do të përsëritet votimi në një apo dy vendvotime”, u shpreh ai.
Tutje, Bajraktari tha se përsëritja e votimeve mund të ndikojë në ndryshimin e rezultatit dhe do të fitojnë edhe një mandat.
“Besoj se do të ketë ndryshim të rezultatit. Kemi fituar mbi 40 për qind të përkrahjes së qytetarëve të Ulqinit, ata unanimisht kanë votuar që “Fillimi i ri” të udhëheq komunën e Ulqinit dhe shpresoj që ajo do rezultojë me 15 mandate në mandatin 4 vjeçar të ardhshëm”, u shpreh tutje ai.