Raportime të shumta kanë konfirmuar se Lois Openda është pranë transferimit tek Olympique Lyon në Ligue 1 për sezonin 2026/27, në një marrëveshje që do t’i sjellë Juventusit rreth 3 milionë euro.
Sipas “Sky”, Fabrizio Romanos dhe disa burimeve të tjera, Openda do të largohet nga Juventusi pas vetëm një sezoni në Torino dhe do t’i bashkohet Lyonit, ku trajner është ish-tekniku i Milanit, Paulo Fonseca.
Sipas raportimeve të së shtunës, bëhet fjalë për një huazim të thjeshtë, pa opsion apo detyrim blerjeje.
Lyoni do të paguajë rreth 3 milionë euro për ta huazuar sulmuesin për sezonin 2026/27.
Një detaj i rëndësishëm është se, sipas Fabrizio Romanos, Lyoni do ta mbulojë plotësisht pagën e Opendas.
Më herët gjatë javës ishte raportuar se Juventusi mund të detyrohej të paguante një pjesë të pagës së lojtarit për të lehtësuar largimin e tij.
Marrëveshja pritet të finalizohet në ditët e para të javës së ardhshme.
Për momentin, Openda vazhdon të jetë pjesë e skuadrës së Juventusit dhe pritet të luajë në ndeshjen miqësore ndaj Standard Liege të shtunën në mbrëmje, pasi trajneri Luciano Spalletti nuk ka në dispozicion asnjë sulmues tjetër qendre me përvojë.
