Një operacion i madh është zhvilluar gjatë mbrëmjes së të mërkurës dhe mëngjesit të kësaj të enjtje në qarkun e Elbasanit, ku si rezultat janë zbatuar urdhër arrestet për 52 persona.
Gjithashtu në këtë aksion policor janë arrestuar në flagrancë që nuk kanë pas urdhër arreste edhe 5 shtetas të tjerë.
Sipas burimeve mësohet se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi kriminal për shpërndarjen e drogës në lokale dhe nëpër qytete. Lënda narkotike që përdorej nga grupi kriminal sigurohej në Fier, Tiranë dhe në Pogradec.
Ndërkohë si rezultat i operacionit në banesa dhe lokale janë gjetur dhe sekuestruar, lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, një armë zjarri tip automatik dhe municion luftarak, 51 milion lekë, 15 mijë euro dhe disa franga zvicerane.
Drejtori i policisë njoftoi se në operacion kanë marrë pjesë 490 punonjës policie dhe 5 dronë, ndërsa kërkimet janë zhvilluar në 52 banesa dhe 18 lokale. Operacioni është shtrirë në Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh, Librazhd, Prrenjas dhe Pogradec
Nga personat e arrestuar, 12 prej tyre ka qenë dënuar edhe më parë në fushën e narkotikëve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale, njofton abcnews.al.
Mësohet se përveç të arrestuarve dhe të shpallurve në kërkim, janë proceduar në gjendje të lirë 29 persona.