Opozita e qytetarët e kritikojnë ashpër vendimin për rritjen e energjisë për 14%

Opozita e qytetarët e kritikojnë ashpër vendimin për rritjen e energjisë për 14%

Pas rritjes 100% të tatimit në pronë, gjepit të varfër të qytetarëve të Kosovës i është shtuar edhe një hallë. Që nga 1 prilli, me vendim të ZRrE-së çmimi për energjinë, do rritet për 14 %. Një gjë e tillë është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, teksa qytetarët janë shprehur të ‘tmerruar’ nga kjo rritje, shkruan Gazeta Enigma.

Ndonëse opozita po e kundërshton ashpër këtë rritje, nga ekzekutivi kosovar kanë ndarë mjetet për vazhdimin e subvencionimit të faturave të energjisë.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, ekonomisti Haki Shatri, ka deklaruar se rritja e çmimit të energjisë, vetëm sa e ka rritur inflacionin ekonomik në Kosovë.

“Inflacioni këtë muaj, ishte 11%, tash me tarifat e reja, po bëhet 25%. Kurti, me këto para që po i jep, po ngjasojnë me politikat sociale të Koresë së Veriut”, ka thënë ai.

Tutje, ai shtoi se tani Qeveria po e rrit çmimin e rrymës në ‘pikë vere’, kur tash mundet ta mbuloj shpenzimin e energjisë elektrike, pasi konsumi është më i vogël.

“Kosova tash me kapacitet e saj, mundet me mbulu shpenzimin e rrymës energjisë elektrike, se konsumi është ma i vogël. E k’ta në pikë vere, i rrisin çmimet”, përfundoi ai.

Kurse ekonomisti Muhamet Mustafa, në një prononcim për Gazetën Enigma, potencoi se nuk e sheh të arsyeshme rritjen e tarifës, duke pasur parasysh përmirësimin e standardit ekonomik si në vend ashtu edhe në rajon.

“Në këtë situatë që jemi, është dashtë të shfrytëzohen të gjitha rezervat që mos t’rritet, sepse kushtet në tregun ndërkombëtar janë përmirsu, dhe çmimi i energjisë është më i vogël. Tash kemi ma shumë import, dhe kushtet janë më të mira. Nuk po e shoh të arsyeshme rritjen e tarifës së çmimit për energji elektrike.” tha ai.

Qytetari nga Gjilani, Valon Ismajli, në një prononcim për Gazetën Enigma, theksoi se në mes të reduktimeve eventuale dhe rritjes se çmimeve të tarifave, kjo e dyta është më e arsyeshme.

“Unë mendoj se rritja e çmimeve të tarifave është e deri diku e arsyeshme për faktin se duhet mbuluar energjia që po importohet, dhe e cila shumë shpesh gjatë dimrit po ka çmim shumë të lartë, mirëpo edhe për qytetarin në anën tjetër po bëhet gjithnjë e më vështirë. Pra në mes të reduktimeve eventuale dhe ngritjes së çmimeve, është vendosur për këtë të dytën.” potencoi ai.

Ndërkohë qytetari, A.I, i cili është personi i vetëm i punësuar në familje, thotë se me tarifat e reja për energjinë do të sjell probleme të mëdha. “Për mua, ka me qenë problem shumë i madh, sepse unë jam i vetmi që marrë rrogë në familjen, dhe me atë rrogë, ushqehemi, vishemi, etj. E as për këto s’kanë dal mjaftueshëm, e tash po na shtohet edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, për mu, është shumë vendim i keq.” përfundoi ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles