Partitë opozitare kanë komentuar deklaratat e zyrtarëve qeveritar lidhur me hapjen e arkivave të UÇK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se tema e hapjes së arkivave të UÇK-së, është zhvendosur nga Beogradi në Prishtinë.
Ai u shpreh se Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, ngase sipas tij në shumë procese është dëshmuar pastërtia e luftës çlirimtare.
“Më duket e pabesueshme që një diskurs i tillë nga Beograd po zhvendoset në Kosovë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur ku në disa raste është shfaqur pafajësia e luftës së UÇK-së. Më duket një deklaratë e pabesueshme që deri dje është diskutuar në Beograd të diskutohet edhe në Kosovë. Në shumë procese është dëshmuar pastërtia e luftës së UÇK dhe e kemi obligim që t’i mbrojmë këto vlera. Do t’i shohim në vazhdimësi një tendencë të Serbisë që të hap tema të tilla”, tha ai.
Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, u shpreh se për këtë temë duhet angazhim profesional ekspertësh.
“Çështja e arkivave është çështje shumë delikate dhe kërkon angazhim profesional të ekspertëve. Për të parë mos me u krijuar më shumë probleme se sa janë. Kërkoj nga Qeveria të angazhojë ekspertë për ta trajtuar këtë çështje”, ka thënë Gashi.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se Qeveria duhet të ketë kujdes në atë se çfarë thotë për këtë temë.
“Sa i përket çështjes së arkivave të UÇK-së, janë disa tema të këtij vendi, që lidhen me historinë tonë të lavdishme. Ajo histori është lufta për liri, luftë e cila është vlera më e madhe kombëtare, e këtij kombi e këtij vend”, tha Tahiri.
Ai shtoi se për këtë gjë Qeveria duhet të kërkoi falje.
“Të kërkohet të hapen arkiva që së paku ne nuk e dimë që ekzistojnë është gabim substancial. Nuk është marre me kërku falje Qeveria e me thanë që kemi gabuar”, u shpreh Tahiri.