Orav: Qeveria e re të jetë partnere e mirë për ne, të përmbushë premtimet

Orav: Qeveria e re të jetë partnere e mirë për ne, të përmbushë premtimet

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka shprehur shpresën që nuk do të ketë vonesa në krijimin e qeverisë së re të Kosovës pas certifikimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai tha se Qeveria duhet të jetë partnere e mirë.

“Për ne e rëndësishme është që kjo qeveri të jetë stabile, të jetë partnere e mirë për ne, ashtu që të përmbushë premtimet, si dhe që të kryejë punë, sepse është e vetmja mënyrë në të cilën mund të ecet përpara drejt Bashkimit Evropian”, tha shefi i Zyrës së BE-së.

Duke folur për mbylljen e institucioneve paralele që punojnë nën sistemin e Republikës së Serbisë dhe nëse kjo çështje mund të diskutohet në dialog, Orav ka thënë se institucionet e udhëhequra nga Serbia në Kosovë janë qartësisht çështje për dialog.

“Këtë e kemi theksuar shumë e shumë herë, në bisedat tona me politikanët e këtushëm, por po ashtu disa herë e kemi thënë edhe publikisht. E dimë sigurisht që sa kjo çështje ndikon njerëzit në zonën në fjalë. Ndërkohë, ka shumë marrëveshje, shumë kërkesa, për të cilat të dy qeveritë janë pajtuar, pra të dyja palët duhet të realizojnë ato që i kanë dakorduar. Këtu, për sa i përket palës serbe, do të doja të theksoj që Serbia ka premtuar të mos pengojë Kosovën në hyrjen e saj në organizata ndërkombëtare, e këtu më së pari flas për Këshillin e Evropës”, tha Orav.

Related Articles