Osmani: 24 vite qëkur bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit tonë

Osmani: 24 vite qëkur bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me rastin e shënimit të 24-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe në ish-Jugosllavi.



Përmes një postimi të shkurtër në rrjetin social Facebook ku publikoi videon e famshme të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, i cili dha urdhrin për nisjen e bombardimeve, Osmani tha se 24 vite më parë, bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit të Kosovës.

“24 vite që kur bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit tonë. Faleminderit përjetësisht”, shkroi ajo.

Ndryshe, sulmet e NATO-s kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 24 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël, rreth 3.600 sosh. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Related Articles