Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në konferencën virtuale me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Konventës së Stambollit, raporton Gazeta Enigma.
Osmani gjatë kësaj konference ka thënë se rreshtimi i Kosovës pranë 34 vendeve që kanë miratuar këtë dokument ka qenë vendimi më i duhur në kohën e duhur për Kosovën kur dhuna në baza gjinore po merrte hov në Kosovë dhe anembanë botës për shkak të pandemisë.
Tutje, Osmani këtë e quajti fitore e madhe të një përpjekje të gjatë në angazhimin e përbashkët për parandalimin e kësaj dukurie.
“Një zhvillim i tillë s’do t’i jepte zgjidhje të menjëhershme këtij problemi jashtëzakonisht brengosës e të papranueshëm shoqëror, por ishte një veprim që e ka konfirmuar gatishmërinë e ligjvënësve tanë për të punuar dhe angazhuar në këtë drejtim”.
Osmani ka thënë se përpjekja dhe angazhimi për jetë dinjitoze dhe me integritet për të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës nuk ndalet në kufijtë politikë, por se bëhet me përfshirjen e të gjithëve si garanci për të arritur te caku.