Osmani: BE-ja po e trajton si një fëmijë të llastuar Serbinë në dialog

Osmani: BE-ja po e trajton si një fëmijë të llastuar Serbinë në dialog

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri që të marrë pjesë në tavolinën e dialogut më Serbinë, asnjëherë nuk ka refuzuar takimet, si dhe çdo herë ka pasur propozime dhe kërkesa konkrete.

Ajo ka thënë se nuk përmendet saktë se sa dokumente janë në këtë proces që nga nisja e tij në vitin 2011.

“Thuhet se janë 33 marrëveshje, por ne i kemi marrë pak më herët janë diku mbi 100 dokumente të cilat jemi duke i analizuar, këto janë prodhuar si pjesë e Procesit të Brukselit, disa janë marrëveshje, disa janë plane zbatimi, disa janë konkluzione të ndërmjetësuesit, disa quhen reflektime të ndërmjetësuesit. Nëse i analizojmë të gjitha e shohim se nga ky proces Kosova i ka zbatuar mbi 99 përqind të marrëveshjeve dhe premtimeve që i ka dhënë, një marrëveshje Kosova nuk e ka zbatuar atë për Asociacionin që e ka rrëzuar edhe Gjykata Kushtetuese për shkak të shkeljeve të shumta që i ka bartur ai dokument. Kurse kur e shohim anën e Serbisë në nivelin e implementimit kanë shumë marrëveshje që nuk i kanë zbatuar”, ka thënë Osmani

E para e vendit e ka akuzuar Bashkimin Evropian se nuk ka qasje të barabartë në procesin e dialogut sa i përket Kosovës dhe Serbisë, në aspektin e implementimit të marrëveshjeve dhe dokumenteve që janë nënshkruar deri tani.

“Çka dëgjojmë nga BE-ja është insistimi që Kosova të implementojë një marrëveshje, ata nuk i dëgjojmë t’i thojnë Serbisë që t’i zbatojë ato marrëveshje që i ka nënshkruar. Në qoftë se palët nuk trajtohen të barabarta në dialog, nëse një palë trajtohet si fëmijë i llastuar në këtë rast Serbia, nëse nuk i përmenden mosimplementimet e nënshkrimeve që i kanë bërë aty, së fundi emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij në Mutivodë bën thirrje të zbatohet marrëveshja e IBM edhe pse Kosova e ka zbatuar me përpikëri dhe Serbia jo, këtu tregohet se palët nuk po trajtohen barabartë”, ka thënë Osmani në RTK.

Related Articles