Fillimisht u munduan ta mbajnë të fshehur, ndërsa tani presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, po vazhdojnë të sillen sikur nuk e kanë dëgjuar deklaratën e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.
Ky i fundit ka zbuluar se sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, u ka thënë atyre në takimin që kanë pasur në Departamentin e Shtetit më 26 korrik 2022 se duhet të nisë diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kjo gjë ishte mbajtur fshehur nga Osmani e Kurti, të cilët nuk e kishin përmendur fare në konferencën e përbashkët që e kishin mbajtur në aeroport, pas kthimit nga SHBA, më 30 korrik 2022.
“… dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, ka thënë Eskobar.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti janë parë në aktivitete publike, por të dytë janë marrë me çështje aspak politike. Osmani e ka shndërruar Presidencën në ambient familjar, ku ka pritur këngëtaren e njohur kosovare me famë botërore, Dua Lipa, kurse kryeministri Kurti është parë në një organizim partiak në Ferizaj, në “ndejën e shtalbave”.
Por, cilat janë qëndrimet e Osmanit dhe Kurtit për Asociacionin?
Osmani e Kurti janë dyshja politike që të vetëm morën pushtetin në vitin 2021, pasi fituan 51% të votave të qytetarëve. Ata njihen si politikanët që kanë kundërshtuar ashpër Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Qëndrimet e Osmanit dhe Kurtit kundër Asociacionit janë të njohura për të gjithë, pasi të dy për një kohë të gjatë kanë kundërshtuar lejimin e formimit të tij.
Osmani, e cila në vitin 2013 ishte deputete e LDK-së, ka votuar kundër në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Kurti përveç kundërshtimit brenda Kuvendit, ka organizuar vazhdimisht protesta kundër themelimit të Asociacionit, të cilin vazhdimisht e quante sipas emërtimit serb “Zajednicë”.
Osmani dhe Kurti, ndonëse u kanë takuar partive të ndryshe LDK – LVV, kanë pasur qëndrime gati të njëjta për Asociacionin, duke e parë atë si të dëmshëm për sovranitetin dhe funksionalitetin e brendshëm të Kosovës, që rrezikon ta bosnjëzojë atë.
Derisa Osmani kishte votuar kundër ratifikimit të marrëveshjes së Brukselit, Kurti me deputetët e tij ishte përpjekur që edhe fizikisht të pengonte procesin e votimit.