Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ofruar përkrahje peticionit të qytetarëve për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes.
Mbi 13 mijë qytetarë tashmë e kanë nënshkruar këtë peticion.
Osmani, në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, tha se “ne të gjithë bashkërisht duhet ta rikujtojmë një të vërtetë të fuqishme: gjithmonë ka shpresë!”.
“Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund ta thyejmë heshtjen, ta çrrënjosim stigmën dhe të tregojmë se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në çfarëdo sfide apo beteje”, tha Osmani.
E para e shtetit të Kosovës, i ka ftuar deputetët e Kuvendit që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor.
“Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë”, tha ajo.