Osmani kërkon mbështetjen e Erdoganit për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Osmani kërkon mbështetjen e Erdoganit për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, ku ka marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Osmani gjatë qëndrimit në Turqi ka deklaruar se presidenti turk është një nga zërat më të fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, duke u shprehur shumë me fat që vendi i saj ka një partner të tillë.

Duke vlerësuar forumin e ADF-së, Osmani tha se është me rëndësi jetike të bashkohen në një vend liderët botërorë në një kohë kur në mbarë botën ka probleme sigurie, konflikte, kriza humanitare dhe luftëra.

Duke tërhequr vëmendjen në rëndësinë e qasjes që ka në qendër njeriun, si dhe diplomacinë, Osmani theksoi se gjëra të mëdha mund të arrihen kur vendet bashkojnë forcat për të mbrojtur vlerat njerëzore.

Sipas saj forumi i ADF-së pasqyron “fuqinë e partneritetit”.

“Është shumë e përshtatshme për ne që forumi të mbahet në Türkiye, vend i cili qëndron pranë Kosovës si një aleat i fortë si në kohë të errëta ashtu edhe në kohë të suksesi”, theksoi Osmani.

“Türkiye është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm”

Presidentja Osmani tha se midis Turqis dhe Kosovës ka lidhje të forta.

“Türkiye ishte me ne në kohët më të vështira të rajonit tonë. Türkiye është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në fushën ekonomike dhe të mbrojtjes”, deklaroi Osmani në një intervistë për Anadolu.

Më tej, presidentja kosovare theksoi se presidenti Erdoğan është një lider që gjithmonë ka qëndruar pranë Kosovës, duke shtuar se ai ka mbështetur Kosovën në drejtim të bashkëpunimeve të reja me vendet e tjera të botës.

“Presidenti Erdoğan është një nga zërat më të fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare”, u shpreh Osmani duke shtuar se është shumë me fat që kanë një partner të tillë dhe se do të bëjë gjithçka që ky partneritet të zhvillohet më tutje.

Osmani gjithashtu kërkoi nga Erdoğan mbështetje që t’i bindë vendet që nuk mbështesin anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Nëse Kosova dhe Bosnje Hercegovina bashkohen në NATO kanë me sjellë më shumë stabilitet dhe paqe në rajon dhe më pas i gjithë kontinenti evropian – në të njëjtën mënyrë siç, kur Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi iu bashkuan NATO-s, kjo solli më shumë paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin dhe në të gjithë kontinentin”, tha Osmani mes të tjerash.

Related Articles