Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Kosova dhe Bahamasi kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave për qytetarët e të dyja vendeve.
Përmes një postimi në platformën X, Osmani bëri të ditur se marrëveshja është nënshkruar sot në Uashington nga ambasadorët përkatës të dy shteteve.
“Marrëveshja për përjashtimin reciprok nga kërkesat për viza për qytetarët e Kosovës dhe Bahamasit u nënshkrua sot në Uashington, D.C., nga ambasadorët tanë përkatës”, ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se ky hap vjen si vazhdim i takimit dhe marrëveshjes me kryeministrin e Bahamasit, Philip Davis, pas njohjes së Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor.
“Duke u bazuar në takimin dhe marrëveshjen tonë me kryeministrin Philip Davis pas aktit të njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor, ky hap pasqyron përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve tona – dhe mbi të gjitha ndërmjet njerëzve tanë – duke i afruar ata më shumë me njëri-tjetrin”, ka shtuar presidentja Osmani.
Për heqjen e vizave njoftoi edhe ministrja në detyrë e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila këtë vendim e konsideroi si “tjetër lajm të mirë dhe hap i mëtejmë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe pas njohjes së fundit të Kosovës nga Bahamasi”.

