Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në të cilin u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë këtij takimi, Osmani theksoi rëndësinë e Planit të Rritjes dhe agjendës së reformave, që do të sigurojnë mbi 800 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën, shkruan Gazeta Enigma.
Osmani nënvizoi se këto fonde do të jenë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe përmbushjen e standardeve evropiane. Ajo gjithashtu ritheksoi nevojën për heqjen e masave të padrejta që po dëmtojnë qytetarët e Kosovës, duke shprehur shqetësimin se këto masa pengojnë përparimin e vendit.
“Së bashku diskutuam Planin e Rritjes dhe agjendën tonë të reformave, prej të cilës do të kemi në dispozicion mbi 800 milionë euro. Në këtë frymë, ritheksova edhe nevojën për heqjen e masave të padrejta kundër Kosovës, nga të cilat më së shumti po dëmtohen qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Osmani.
Gjatë takimit, Osmani e uroi Von der Leyen për rizgjedhjen e saj në krye të Komisionit Evropian dhe shprehu vullnetin e Kosovës për të avancuar në rrugën e integrimit evropian, bazuar në merita dhe përkushtim.
Ajo shprehu besimin se një marrëdhënie e fortë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian është thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
“Në takim me Presidenten Ursula von der Leyen, e urova për rizgjedhjen e saj në krye të Komisionit Evropian, gjersa ritheksova përkushtimin e vendit tonë për të ecur, bazuar në merita, drejt familjes së bashkuar evropiane”.
Ky takim vjen në një kohë kur Kosova është e angazhuar për të forcuar reformat dhe për të përmbushur kriteret për integrim, duke kërkuar mbështetje nga partnerët evropianë./GazetaEnigma/