Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosovës i takon ta krijojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por se në të njëjtjën kohë edhe Serbia duhet ta njoh shtetësinë de-fakto të Kosovës, transmeton Gazeta Enigma.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, e para e shtetit tha se të dy këto pika janë në marrëveshjen e njëjtë.
“Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni”, tha Osmani.
Megjithatë, Osmani tha se Asociacioni do ua paksojë të drejtat komunitetit serb në Kosovë, pasi fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, dhe se presidenti serb Aleksandër Vuçiq përmes Asociacionit e ka qëllimin ta bëj Kosovën një shtet jo-funksionalë.
“Në raport me qytetarët tanë ne nuk do të duhej ta krijojmë përshtypjen që Asociacioni ndihmon qytetarët serbë në Kosovë. Në fakt sistemi më i avancuar i të drejtave të pakicave ekziston në Republikën e Kosovës tani, me Kushtetutën aktuale, me ligjet e pakos së Ahtisaarit dhe me ligjet e tjera të cilat ne i kemi miratuar si rezultat i marrëveshjeve të dialogut. Me Asociacionin, ju siguroj një gjë, vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit, të cilët Vuçiçi për momentin e ka qëllimi t’i kontrollojë dhe në njëfarë mënyre ta bëjë Kosovën shtet jofunksional. Pra Asociacioni nuk ju jep më shumë të drejta qytetarëve serbë, por përkundrazi merr më shumë të drejta nga poshtë dhe i dërgon ato lart, që është në kundërshtim me parimet bazike të Këshillit të Evropës, sipas të cilit për t’i fuqizuar komunitetet pakicë duhet të ketë më shumë sovranitet nga lart poshtë dhe jo e kundërta. Asociacioni në fakt bën të kundërtën”, deklaroi Osmani.
“Edhe vet juristët eminentë të Këshillit të Evropës kanë deklaruar që ajo nuk është në përputhje me parimet e Këshillit të Evropës. Megjithatë, ne e kemi dhënë premtimin dhe Kosova është shtet serioz. Kur ndërmerr një detyrim ndërkombëtar, duhet ta zbatojë atë. Por zbatimi i Asociacionit është në kuadër të një procesi dhe ai proces është Marrëveshja Bazike”, shtoi presidentja.
Tutje Osmani tha se krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen. Prapë, siç e kam thënë edhe në intervista paraprake, mendoj që Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje. Deri tani kanë qenë më shumë ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta. Përfundojeni ju fillimisht e pastaj bisedojmë.’ Mendoj që ka ardhur koha që ne të kemi një plan të përbashkët me aleatët tanë dhe kur them me aleatët këtu duhet roli drejtues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse siç dëshmon historia jonë, vetëm atëherë në rajonin tonë ka pasur sukses që çon drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme dhe afatgjatë. Pra të ulemi bashkë me partnerët tanë, ne e bëjmë këtë, pastaj i marrim nga ana e partnerëve tanë garancitë për siguri, pasi duhet të sigurohemi që ajo çfarë po ndodh në Bosnjë, asnjëherë të mos ndodhë në Kosovë”, u shpreh Osmani.
“Sepse kjo jo vetëm që nuk është në intereset të qytetarëve tanë, pavarësisht cilës etni, por as nuk është në interest të paqes dhe stabilitetit rajonal e pastaj si rrjedhojë, e gjithë kontinentit tonë”. /Gazeta Enigma