Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar Masakra e Poklekut, e cila sipas saj është “kujtesë që nuk shuhet, plagë që nuk mbyllet pa drejtësi”.
Ajo theksoi se në mesin e 54 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç.
“Ata u vranë mizorisht e pastaj u dogjën nga forca të regjimit gjenocidal serb, synim i të cilëve ishte shfarosja. Në mesin e viktimave, ishte edhe Liria, një foshnjë vetëm 6 muajshe, që mbante emrin e një ideali që ende nuk e kishte jetuar. Ajo nuk e gëzoi kurrë lirinë. Por emri i saj mbetet amanet për secilin prej nesh. Të tillë mbeten edhe emrat e 23 të vrarëve në Çikatovë të Vjetër”, theksoi Osmani.
“Sot nuk mjafton t`i kujtojmë. E kemi obligim të kërkojmë drejtësi. Jo vetëm për Lirinë, por për çdo fëmijë të vrarë, për çdo familje të shuar”.
Osmani ndër të tjera tha se “Drejtësia nuk është hakmarrje. Është premtimi më minimal që ia kemi borxh viktimave”.
“Është përgjegjësia jonë që ky krim të mos mbulohet nga pluhuri i harresës apo nga heshtja”. / Gazeta Enigma.