Osmani me dedikim të veçantë për Bill Clintonin: Faleminderit që na shpëtuat jetët

Osmani me dedikim të veçantë për Bill Clintonin: Faleminderit që na shpëtuat jetët

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po qëndron në Berlin për “World Forum”, ku i pranishëm ishte edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, raporton Gazeta “Enigma”.

Clinton në “World Forum” u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit”.

“Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur”, tha Osmani.

Fjalë të mëdha pati Osmani për Clintonin, duke e falënderuar për krejt çka bërë për Kosovën në kohë lufte.

“Mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane—të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë. Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe”, ka thënë Osmani. /Gazeta Enigma/

Related Articles