Osmani: Më shumë se 25 shtete e konfirmuan njohjen ndaj Kosovës

Osmani: Më shumë se 25 shtete e konfirmuan njohjen ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Presidenca, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, ka arritur të rikonfirmojë njohjet bilaterale nga mbi 25 shtete për të cilat Serbia pretendonte se i kishin tërhequr njohjet ndaj Kosovës.

Osmani theksoi se çështja e njohjeve të pavarësisë nuk duhet parë vetëm nga perspektiva e numrave të rinj, por edhe nga përpjekjet për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet ekzistuese.

“Serbia pati prezantuar një listë prej mbi 25 shtetesh, të cilat sipas tyre kanë lëshuar letra se kanë tërhequr njohjet, apo kanë ngrirë procesin e njohjeve, etj. Dhe pastaj kjo reflektohet në praktikë, sepse ato shtete kur ndërmarrin një hap të tillë nuk votojnë pro teje si shtet në anëtarësime, pra ka efekt, ne mundemi me e injoru si proces megjithatë është efekt shumë negativ, ka pasur njerëz që kanë dashur me injoru, ne mund të ia bëjmë qejfin vetes të themi se nuk ekziston çnjohja si koncept”, tha ajo në një intervistë për “Rubikon”.

Osmani shtoi se vetëm nga një shtet nuk kanë marrë ende përgjigje, por nuk zbuloi se për cilin shtet bëhet fjalë.

“Si presidencë jemi marrë shumë me këto 25 çnjohje të pretenduara nga ana e Serbisë përsëri me ndihmën e aleatëve kemi arritur të rikthejmë secilën, përveç njërës për të cilën akoma nuk kemi përgjigje as ne as aleatët tanë”, theksoi ajo.

“Kjo në aspektin total të njohjeve të Kosovës është një arritje e madhe, sepse s’mund të thuhet se s’ka pasur lëvizje në procesin e njohjeve kur në fakt në mbi 20 shtete i kemi rikthyer relacionet tona dhe kjo është shumë me rëndësi sepse Serbia e pati krijuar një përshtypje negative te shtetet që s’ka kanë njohur duke thënë mos u ngutni se këta të tjerë po tërhiqen”, tha tutje Osmani.

Related Articles