Osmani merr anë: Miqësinë e përhershme me Amerikën e kemi testament nga presidenti Rugova

Osmani merr anë: Miqësinë e përhershme me Amerikën e kemi testament nga presidenti Rugova

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se shteti i Kosovës lindi falë edhe mbështetjes së aleatëve e miqve ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në, “për të cilën gjë gjatë kohë kishte punuar edhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik dr. Ibrahim Rugova”.

Në promovimin e librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Osmani ka thënë se roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident.

“Miqësinë e përhershme me Amerikën e kemi testament nga presidenti Rugova, të rrënjosur thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndaj, siç e dëshmoi sidomos periudha e shtetndërtimit, roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident, tepër përmbajtjesor dhe pa dyshim kryesor”, ka thënë ajo.

Raporte mes Kosovës dhe SHBA-së janë diskutuar pasi ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O’Brien, paralajmëroi që Uashingtoni mund të mos e trajtojë Qeverinë e tij si partnere.

Kërcënimi u bë pas përcaktimit të Qeverisë që të mos përfillë kërkesat e ndërkombëtarëve për Rregulloren e BQK-së, që ndalon pagesat në valutën e Serbisë.

Pas kësaj deklarate kryeministri Albin Kurti të mërkurën ka thënë se Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-në.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, ka deklaruar Kurti.

Related Articles