Osmani në Spanjë: Kosova ka nevojë për garanci sigurie – Serbisë t’i jepet mësimi

Osmani në Spanjë: Kosova ka nevojë për garanci sigurie – Serbisë t’i jepet mësimi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka marrë sot pjesë në samitin e tretë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës.

Pas samitit, në një konferencë për media ajo ka folur rreth agresionit serb në Banjskë të Zveçanit.

Për ta parandaluar një agresion të radhës nga Serbia, ajo ka thënë se Kosovës i nevojiten garanci sigurie, si dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, ti jepet mësimi.

“Kam pasur rastin gjatë këtyre takimeve t’i informoj në detaje për agresionin e fundit të Serbisë kundër Kosovës. Siç e dini, më 24 shtator Serbia ka kryer një akt agresioni përmes grupeve terroriste kundër Kosovës”, ka thënë Osmani.

“Kësaj radhe Policia e Kosovës arriti të ndalojë ushtrimin e plotë të këtij plani, ishte plan i Krimesë për aneksimin e veriut të Kosovës dhe derisa po ndodhte, Serbia po përgatiste një ushtri rreth kufirit të Kosovës deri në atë masë që nuk e kemi parë këto 25 vitet e fundit”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, qëllimi i pjesëmarrjes së saj në këtë samit kishte të bëjë me shumti me diskutimin me partnerët se si mund ta parandalohet që kjo të mos ndodhë përsëri.

“[1] Kosova ka nevojë për garanci sigurie. Ne kemi nevojë për mbështetjen e partnerëve tanë për të mbështetur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që ata të mos mund të kontrabandojnë më armë siç kanë bërë në të kaluarën”.

“[2] Ne kemi nevojë që Vuçiqi ta mësojë mësimin. Nëse nuk ka masa dhe sanksione të ashpra ndaj Serbisë për organizimin e këtij akti agresioni, fatkeqësisht kjo do t’i inkurajojë ata ta bëjnë këtë përsëri dhe përsëri”, ka thënë presidentja Osmani.

Related Articles