Osmani në takim me Lajçakun: Fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi

Osmani në takim me Lajçakun: Fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon, njofton Klan Kosova.

Ajo potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Tutje, Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Presidentja gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.

Related Articles